Dërgesat nga Temu dhe AliExpress deri në 22 euro do të tatohen – hiqet përjashtimi nga TVSH-ja

Qytetarët që porosisin produkte nga platformat online si Temu dhe AliExpress do të duhet të paguajnë TVSH edhe për dërgesat me vlerë deri në 22 euro, sipas ndryshimeve të reja në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Me këto ndryshime, hiqet përjashtimi aktual nga TVSH-ja për dërgesat e vogla që vijnë nga jashtë vendit për konsumatorët vendas, raporton TV21.

Sipas zëvendësministrit të Financave, Nikollçe Jankullovski, qëllimi i ndryshimit të ligjit është krijimi i një kornize më të qartë ligjore, parandalimi i keqpërdorimeve dhe vendosja e kushteve më të drejta për bizneset vendase.

Megjithatë, përjashtim nga TVSH-ja do të vijojë të vlejë për dërgesat e vogla jo-komerciale që dërgohen nga një person fizik te një tjetër, me vlerë që nuk kalon 22 euro. Ky përjashtim nuk përfshin dërgesat që përmbajnë alkool, parfume apo produkte duhani.

Advertisement

Po ashtu, udhëtarët që sjellin sende personale ose mallra me vlerë të vogël jo-komerciale do të përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së, por jo në rastet kur hyjnë disa herë brenda të njëjtës ditë.

“Arsyeja kryesore për ndryshimet është sigurimi i transparencës, drejtësisë tatimore dhe ruajtja e mundësisë që qytetarët të marrin dërgesa personale nga jashtë deri në 22 euro pa TVSH, çka ka rëndësi të madhe sociale,” theksoi Jankullovski.

Advertisement
Advertisement