Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen disa nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po hyn në fazën e tij përmbyllëse. Avokatët e mbrojtjes vlerësojnë se faza e dëshmive po mbyllet në favorin e tyre, duke theksuar se provat e fundit kanë sfiduar seriozisht pretendimet e Prokurorisë.
Avokati Skënder Musa, duke folur për RTK-në, u shpreh se dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja kanë ofruar argumente që, sipas tij, kanë goditur në thelb aktakuzën. Ai përmendi veçanërisht një dëshmitar kyç, të cilin e identifikoi si “zoti Robin”, si dhe dëshmitarë të tjerë që, sipas tij, kanë hedhur dritë mbi funksionimin e UÇK-së gjatë luftës. Musa nënvizoi edhe qëndrimet e ambasadorit Hill, i cili – sipas avokatit – ka deklaruar se shumë nga akuzat e sotme ngjajnë me narrativat që Serbia e epokës së Millosheviqit kishte paraqitur dekada më parë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe avokati Ardian Bajraktari, i cili theksoi se dëshmitë e fundit kanë forcuar argumentin e mbrojtjes për mungesën e një strukture të centralizuar komanduese brenda UÇK-së. Sipas tij, këto dëshmi biejnë ndesh me pretendimet e Prokurorisë për përgjegjësi komanduese të të akuzuarve.
“Jam optimist se nëse gjykata mbështetet në drejtësi dhe në provat e besueshme të paraqitura, vendimi përfundimtar duhet të rezultojë me pafajësi,” tha Bajraktari, duke shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas tij, nuk ka funksionuar si strukturë që mund të mbahet përgjegjëse për krime të organizuara.
Mbrojtja është e bindur se provat materiale dhe dëshmitarët që kanë dalë gjatë procesit do të ndikojnë në një epilog lirues për të akuzuarit. Ndërkohë, në javët e ardhshme pritet të dëgjohet edhe dëshmitari i fundit – gjenerali Wesley Clark – një nga figurat më të rëndësishme ndërkombëtare të kohës së konfliktit në Kosovë. Pas dëshmisë së tij, procesi do të kalojë në mbylljet përfundimtare nga palët, duke i hapur rrugë vendimit të trupit gjykues.
