Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritjen e zgjedhjeve dhe rivotim në Mitrovicën e Jugut për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025.
Në vendimin e publikuar të premten, PZAP bëri të ditur se, pas shqyrtimit të argumenteve të PDK-së dhe përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka konstatuar asnjë shkelje që do ta bënte procesin zgjedhor të pavlefshëm.
“Ankesa e subjektit politik PDK refuzohet si e pabazuar. Kërkesa për t’i urdhëruar KQZ-së përsëritjen e procesit zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut nuk gjen mbështetje ligjore”, thuhet në arsyetimin e Panelit.
Po ashtu, PZAP ka rrëzuar edhe pretendimin për ekzistimin e praktikës së njohur si “tren bullgar”, duke deklaruar se nga shqyrtimi i materialeve nuk rezulton ndonjë provë që dëshmon manipulime të tilla.
