Presidentja Osmani pret të ngarkuarën me punë të SHBA-së; diskutohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Sipas njoftimit nga Presidenca, në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe të mbajtur në përputhje me standardet më të larta demokratike. Ajo ka nënvizuar se garantimi i integritetit të zgjedhjeve është thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe për besimin qytetar.

Po ashtu, palët kanë biseduar edhe për një sërë çështjesh të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Presidentja Osmani ka ripotencuar përkushtimin e saj për të forcuar partneritetin strategjik me SHBA-në, duke e cilësuar atë si aleatin më të rëndësishëm të vendit.

Advertisement

Vendimi për zgjedhjet e parakohshme vjen pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të rregullta të mbajtura më 9 shkurt. Presidentja Osmani ka shpallur datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Advertisement
Advertisement