Televizioni Alsat ka mësuar ekskluzivisht detaje të reja nga hetimi që po zhvillohet për rastin e dyshuar të abuzimit seksual dhe kushtëzimit të një të miture nga një fshat i Komunës së Likovës.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime jozyrtare, gjatë ditës së djeshme dhe sot, organet hetimore kanë ftuar disa persona të tjerë në biseda informative, për shkak të dyshimeve për përfshirje në abuzim seksual ose kushtëzim për përfitime financiare. Identiteti i tyre është i njohur për redaksinë, por nuk do të bëhet publik për shkak të interesit të hetimit dhe ruajtjes së sekretit hetimor.
Burimet tona bëjnë të ditur se e mitura dyshohet se është kushtëzuar me para për një periudhë disa mujore, duke u shantazhuar përmes disa fotografive eksplicite. Mësohet se asaj i janë zhvatur disa mijëra euro, të cilat i ka siguruar përmes personave të ndryshëm, duke përdorur arsyetime të ndryshme.
Në rrethana anonime, Alsat ka mësuar se ka pasur edhe një tentativë për kushtëzim ndaj një familjareje të së miturës, por sipas burimeve të njëjta, kjo përpjekje nuk ka rezultuar e suksesshme.
Aktualisht, në biseda informative janë përfshirë gjithsej pesë persona. Dy prej tyre dyshohen për kushtëzim, ndërsa tre të tjerë për abuzim seksual ndaj të miturës. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se procedura hetimore është zgjeruar në disa sektorë, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale për secilin të dyshuar.
Ditë më parë, MPB konfirmoi rastin, duke theksuar se denoncimi është bërë nga personi me inicialet S.J., që mësohet të jetë prindi i së miturës.
Pas përfundimit të dokumentimit të rastit, policia pritet t’ia dorëzojë lëndën Prokurorisë Publike në Kumanovë, nga ku pritet edhe caktimi i masave të kujdesit për disa prej të dyshuarve. Sipas Kodit Penal, për veprat penale të kushtëzimit apo shantazhit me para ose favore seksuale parashikohet dënim me burg deri në 10 vjet, ndërsa dënime më të rënda parashihen në rastet kur vepra kryhet nga grup personash.
