PDK ankimoi rezultatin e votave me postë pas humbjes së mandatit të 23-të
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar ankesë lidhur me rezultatin e votave me postë, pasi sipas rezultateve preliminare ka humbur mandatin e 23-të të deputetit, i cili i ka kaluar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Nga PDK kanë bërë të ditur se ankesa ka të bëjë me mënyrën e numërimit dhe vlefshmërinë e disa votave me postë, për të cilat pretendojnë se kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar dhe në shpërndarjen e mandateve në Kuvend.
Sipas rezultateve të publikuara, LDK ka përfituar mandatin shtesë pas numërimit të votave me postë, duke e lënë PDK-në me një deputet më pak.
Ankesa e PDK-së pritet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse zgjedhore, ndërsa rezultati përfundimtar do të certifikohet pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.
