Më 2 shkurt të këtij viti, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, mori vendim për ndryshimin e dënimit të Haxhi Shalës, duke i hapur rrugë lirimit të tij me kusht.
Sipas vendimit, kushtet e përcaktuara do të mbeten në fuqi për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh. Pas këtij vendimi, Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë më 10 shkurt 2026.
Në arsyetimin e saj, Trendafilova theksoi se gjatë vuajtjes së dënimit, Shala kishte shfaqur elemente të rehabilitimit. Ajo mori parasysh edhe një letër që i ishte drejtuar asaj nga Shala, në të cilën ai shprehte pendesë për pasojat që veprimet e tij mund t’u kenë shkaktuar të tjerëve.
Po ashtu, kryetarja e DHSK-së vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet e tij familjare, kushtet e qëndrueshme të jetesës dhe mbështetjen shoqërore, duke i konsideruar këto si tregues të një perspektive reale për rehabilitim të mëtejshëm.
