Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) bllokoi sot Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke mbyllur të gjitha hyrjet e objektit. Bllokada u realizua si reagim ndaj kërkesës për rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 6.000 denarë.
Nga LSM theksuan se protestat filluan pikërisht para Kuvendit, pasi deputetët për më shumë se një vit nuk kanë miratuar ndryshimet ligjore për pagën minimale dhe, sipas tyre, po injorojnë iniciativën më të fundit të sindikatës për uljen e pagave të funksionarëve për 80 për qind.
Nëse deputetët nuk veprojnë, LSM paralajmëron se do të mbledhë 10.000 nënshkrime për t’u bërë propozues i autorizuar ligjor dhe për të kërkuar zyrtarisht uljen e pagave të funksionarëve.
Nga sindikata njoftuan gjithashtu se të enjten do të bllokohet Dhoma Ekonomike, ndërsa të martën e ardhshme është paralajmëruar bllokimi i Qeverisë.
LSM nuk e përjashton as mundësinë e organizimit të një greve të përgjithshme.
