Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve se nga data 15 nëntor 2025 hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin dhe mbajtjen e pajisjeve dimërore, i cili do të zgjasë deri më 15 mars 2026.
Sipas njoftimit, shoferët duhet të kenë goma dimërore me thellësi prerjeje prej 4 deri në 6 milimetra, në varësi të tipit të gomës. Ata që përdorin goma verore, duhet të kenë zinxhirë për borë, ndërsa kamionët dhe autobusët duhet të jenë të pajisur edhe me lopatë.
SPB Tetovë paralajmëron se do të intensifikojë kontrollet gjatë kësaj periudhe, ndërsa të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk do ta respektojnë detyrimin ligjor do të përballen me gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denari, në përputhje me nenin 361 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Po ashtu, në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike, si reshje të dendura bore apo ngrica, automjetet pa pajisje dimërore do të përjashtohen nga qarkullimi, veçanërisht në drejtimet Strazhë, Mavrovë dhe Kodrën e Diellit.
Ky detyrim ka për qëllim të sigurojë zhvillimin normal dhe të sigurt të komunikacionit në rajonin e Tetovës dhe më gjerë, duke shmangur pengesat e panevojshme në rrugë gjatë stinës së dimrit.
