Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal ndaj tetë personave, mes tyre ish-funksionarë dhe punonjës të Komunës së Sarajit dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe ndaj një inxhinieri mbikëqyrës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskujdes në punë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave zyrtarë, njofton TV21.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Policinë Financiare, kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër personave:
• B.B., ish-kryetar i Komunës së Sarajit,
• S.Sh. dhe Q.K., ish-sekretarë në komunë,
• A.S. dhe Q.A., ish-drejtues të sektorit për urbanizëm,
• A.Sh., bashkëpunëtor i ri në komunë,
• I.B.Sh., drejtues i sektorit për planifikim dhe rregullim të hapësirës në Qytetin e Shkupit,
• si dhe L.T., inxhinier mbikëqyrës.
Hetimet paraprake tregojnë se personat e dyshuar, edhe pse ishin të vetëdijshëm se për parcelën kadastrale KP 10405/6, KO Saraj, nuk ekzistonte plan i detajuar urbanistik, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare duke hartuar dhe miratuar kopje të falsifikuara të planit urbanistik dhe leje ndërtimi me përmbajtje të pasaktë.
Përveç kësaj, sipas Policisë Financiare, janë bërë edhe llogaritje të rreme për kompensim të tokës ndërtimore, në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Inxhinieri mbikëqyrës dyshohet se ka kryer kontroll teknik të rremë dhe ka përgatitur raport përfundimtar të pasaktë për objektin në fjalë.
Në këtë mënyrë, personat e përfshirë dyshohet se i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” DOOEL nga fshati Gllumovë (Saraj) të përfitojë të mira materiale të paligjshme në vlerë prej 108.638.840 denarësh.
