Prej dy ditësh, rrjetet sociale në Rumani po qarkullojnë fotografi të publikuara gjoja në “story”-n e WhatsApp-it të kryetarit të komunës së Livăzdele, Trajan Simionka, ku ai shfaqet në poza intime me një punonjëse të këshillit komunal. Pamjet janë bërë virale dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Në fotografi, sipas asaj që pretendohet, shihet një akt seksual, por ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për abuzim, shkelje të etikës apo një marrëdhënie konsensuale. Ndërkohë, faktori kryesor që ndezi debatin ishte se imazhet dolën nga profili i vetë kryebashkiakut, i shoqëruar me mbishkrimin: “Lidhje dashurie”.
Edhe pse përmbajtja u zhduk pas 24 orësh, përdoruesit kishin ruajtur screenshot-e, të cilat tashmë janë përhapur në gjithë vendin.
Simionka i ka mohuar kategorikisht fotot, duke i quajtur ato të manipuluara me inteligjencë artificiale. “Fotografitë janë të nxjerra nga një video e rreme. Dikush ka përdorur inteligjencën artificiale për t’i krijuar. Do të zbulohet kush i ka bërë ‘screenshot’-et,” ka deklaruar ai për mediat lokale, sipas HotNews.
Ai shtoi se në kohën kur pretendohet se është realizuar videoja, zyra ka qenë e hapur dhe se nuk ka ndodhur “asgjë e diskutueshme” me punonjësen, e cila gjithashtu ka mohuar çdo incident.
Policia ka nisur hetimet zyrtare dhe po shqyrton mundësinë e veprave penale për sulm seksual dhe shkelje të privatësisë. “Procedura është në zhvillim dhe po mblidhen të gjitha provat,” ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë.
Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (PSD), ku bën pjesë Simionka, deklaroi se do të ndërmarrë masa vetëm pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria.
