Sezoni i katërt i “Big Brother VIP Kosova” ka nisur vetëm pak ditë më parë, por dinamika brenda shtëpisë është bërë tashmë e ndezur. Qendra e vëmendjes së publikut ka qenë Elijona Binakaj, banorja 18-vjeçare që ka hyrë në program me një histori të rëndë familjare, pasi ka humbur nënën dhe motrën në një aksident tragjik.
Gjatë natës së fundit, Elijona është përballur me presion dhe situata të tensionuara me dy banore të tjera, Albën dhe Benitën. Momenti më i diskutuar ndodhi kur Benita i drejtoi një koment Elijonës që u cilësua i tejet i pandjeshëm. Në një debat të nxehtë, ajo u dëgjua t’i thoshte:
“Nuk e ka mamin këtu për ta mbrojtur.”
Nuk dihet nëse Benita kishte dijeni për historinë e rëndë personale të Elijonës, por fjalët e saj u përhapën menjëherë në rrjetet sociale, duke shkaktuar zemërim dhe reagime të shumta nga publiku. Komentet janë cilësuar si të papranueshme dhe të pamëshirshme, sidomos duke marrë parasysh përjetimet e së resë.
Ndërkohë, diskutimet online vijojnë me intensitet, dhe shumë ndjekës të formatit kërkojnë sqarime apo reagim nga produksioni për situatën e krijuar.
