Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim serioz dhe reagim të vendosur ndaj pamjeve të publikuara nga hapësirat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku evidentohet zhvillimi i një riti fetar të një konfesioni të caktuar mbi automjete zyrtare të policisë.
Ky veprim nuk mund të arsyetohet si “traditë”.
Ai përbën një cenim të drejtpërdrejtë të karakterit sekular të shtetit.
Riti fetar nuk është zhvilluar në ambient privat apo objekt kulti, por në oborrin e një institucioni të sigurisë publike, mbi mjete shtetërore dhe brenda strukturave zyrtare të policisë. Një praktikë e tillë është e papajtueshme me parimet kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila është shtet sekular dhe shoqëri multietnike e multikonfesionale.
Policia është institucion i përbashkët i të gjithë qytetarëve dhe duhet të funksionojë mbi bazën e barazisë absolute, pa asnjë dallim përkatësie etnike apo fetare. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të identifikohet me asnjë besim fetar, e aq më pak të krijojë përshtypjen e ekzistencës së një feje dominuese apo “zyrtare” brenda institucioneve shtetërore.
Përdorimi i hapësirave dhe mjeteve publike për rituale të një konfesioni të vetëm dërgon një sinjal përjashtues dhe shqetësues për qytetarët e tjerë, duke lënë të kuptohet se institucionet shtetërore favorizojnë një besim të caktuar. Kjo nuk është çështje simbolike apo e padëmshme, por institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës.
Është veçanërisht problematike që këto automjete janë financuar nga taksat e të gjithë qytetarëve dhe do të përdoren nga zyrtarë policorë të besimeve të ndryshme. Institucionet publike nuk i takojnë askujt për t’u shënuar me simbole apo rituale të një feje të vetme.
Shteti mbështetet në ligj, rend kushtetues dhe institucione, jo në rituale fetare.
Parimi i shtetit sekular nuk ndërtohet mbi zakone apo “tradita”, por mbi neutralitet, barazi dhe respekt institucional.
Në këtë kontekst, BDI kërkon:
1. Sqarim urgjent dhe publik lidhur me përgjegjësinë për këtë veprim, bazën ligjore dhe qëllimin e tij;
2. Mbajtje përgjegjësie institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar apo nuk ka parandaluar përdorimin e mjeteve dhe hapësirave shtetërore për aktivitete fetare.
Një mesazh i drejtpërdrejtë edhe për përfaqësuesit e VLEN/VREDI: reagimi nuk mjafton vetëm në rrjete sociale apo deklarata publike. Përgjegjësia matet me veprime konkrete brenda institucioneve dhe me parandalimin real të praktikave që cenojnë barazinë etnike dhe fetare. Heshtja institucionale dhe reagimi virtual tregojnë mungesë kapaciteti dhe pranim të heshtur të kësaj gjendjeje.
BDI respekton plotësisht lirinë individuale të besimit dhe shprehjes fetare, por kjo liri nuk mund të shndërrohet në uzurpim të institucioneve shtetërore.
Policia duhet të mbetet institucion i të gjithëve – jo i një etnie dhe jo i një feje – duke respektuar në mënyrë strikte Kushtetutën.
BDI do ta ndjekë këtë çështje deri në zbardhjen e plotë të saj dhe do të insistojë në transparencë dhe masa konkrete, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
