Akademikja dhe autorja e njohur Lea Ypi ka reaguar përmes një postimi emocional dhe reflektues në rrjetet sociale, ku njofton largimin e saj nga Shqipëria, duke e shoqëruar këtë vendim me kritika të forta ndaj klimës publike, sulmeve mediatike dhe shpifjeve që, sipas saj, e kanë shoqëruar ditët e fundit.
Në mesazhin e saj, Ypi shprehet se është përballur me një valë shpifjesh, konspiracionesh dhe sulmesh personale me natyrë biografike, ideologjike, gjeopolitike dhe sociale, të cilat ajo i cilëson si “hiç dixhital e mediatik”, të ndërtuar për të mbushur boshllëkun e mendimit, mllefit dhe dështimit shoqëror.
Megjithatë, akademikja thekson se përjetimet më të rëndësishme për të kanë qenë takimet e drejtpërdrejta me qindra qytetarë, lexues të moshave dhe bindjeve të ndryshme, të cilët ajo i quan “njerëz të vërtetë”. Sipas Ypit, dialogu i hapur, pyetjet, kritikat dhe shkëmbimet e ideve me të rinj dhe të reja që përballen pa maska e pseudonime, përfaqësojnë vlerën më të madhe të kësaj eksperience.
Në reflektimin e saj, Lea Ypi përdor metaforën e labirintit të Minotaurit për të përshkruar botën e sotme, ku individët përballen me përbindësha të dukshëm dhe të padukshëm. Ajo shprehet se shpëtimi mund të vijë vetëm përmes bashkimit dhe rikthimit të kuptimit të të qenit njeri, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit dhe të mendimit kritik.
Postimi mbyllet me një falënderim për të gjithë ata që, sipas saj, i shtrënguan dorën në këtë “skutë shqiptare të labirintit”, duke lënë të kuptohet se largimi i saj nuk është një shkëputje emocionale, por një ndarje e dhimbshme nga një realitet kompleks.
